Njoftim për medie

Njoftim për medie

07 prill 2017

Më poshtë fjalimi i kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, në ceremoninë e shënimit të Ditës së Kushtetutës, të organizuar nga Ministria e Drejtësisë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, më 7 prill 2017:

I nderuari President i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi,
I nderuari Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli,
I nderuari Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Isa Mustafa,
I nderuari Zëvendëskryeministër, z. Hajredin Kuçi,
E nderuara Ministre e Drejtësisë, znj. Dhurata Hoxha,

Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe Zotërinj,


Më lejoni që, si fillim, të shpreh falënderimin tim për Ministren e Drejtësisë, znj. Dhurata Hoxha, për ftesën dhe për organizimin e shënimit të 9-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Është nder dhe kënaqësi e veçantë t’ju drejtohem sot, për të rikujtuar dhe për të festuar ditën më të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme në historinë më të re të Kosovës pas shpalljes së pavarësisë, ditën e miratimit të Kushtetutës. 

Kushtetuta e Republikës së Kosovës paraqet aktin superior në hierarkinë normative të rendit juridik të Republikës së Kosovës, mirëpo Kushtetuta e Kosovës është më shumë se vetëm një grumbull i dispozitave kushtetuese dhe ajo bën më shumë se përcaktimin e organeve të pushtetit shtetëror dhe numërimin e të drejtave dhe lirive të njeriut. Kjo Kushtetutë i dha jetë pavarësisë dhe i dha formë e frymë shtetit më të ri të Evropës, ndërsa qytetarëve të Kosovës u dha nder dhe detyrime për t’i realizuar idealet kushtetuese që përcaktohen aty.

Kushtetuta e Kosovës është një dokument mjaft modern dhe i avancuar në krahasim me shumë kushtetuta të tjera pozitive dhe rrethanat në të cilat është hartuar ajo dhe zgjidhjet që ka parashikuar në rrugën drejt ndërtimit të shtetit të Kosovës e bëjnë atë mjaft të veçantë.
Hartuesit e Kushtetutës së Kosovës kishin mision mjaft sfidues, pasi kishin detyrë të bënin një dokument i cili adresonte dhe i cili luftonte dallimet dhe pabarazinë e padrejtësinë në shoqërinë kosovare e cila ishte instaluar me dekada, ndërsa në të njëjtën kohë të ofrojë zgjidhje që do të ofronin siguri, barazi dhe drejtësi për të gjithë qytetarët e saj. Kjo Kushtetutë është konceptuar mbi premisat e ndërtimit të një vendi të lirë, demokratik dhe paqedashës, që respekton vlerat e qytetarisë së barabartë, të mirëqenies ekonomike dhe të përparimit social, si dhe të bashkëpunimit të mirë rajonal dhe ndërkombëtar.

Dhe, për mua si Kryetare e GJK-së, është privilegj i veçantë që të ndaj disa prej pikëpamjeve të mia në lidhje me karakterin unik të kësaj Kushtetute, me vlerat e saj, dhe aspektet operacionale në zbatim të saj, duke përfshirë sfidat në aplikimin dhe në interpretimin e dispozitave kushtetuese ndaj realiteteve shpeshherë komplekse dhe vazhdimisht të ndryshueshme. 

Kushtetuta e Republikës së Kosovës është refleksion, në një anë, i historisë dhe i përvojave tragjike të dhunës dhe të abuzimit të paprecedent të të drejtave të njeriut dhe, në anën tjetër, i përkushtimit për standardet më të larta ndërkombëtare të demokracisë, të sundimit të ligjit dhe të respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut.

Kushtetuta e Republikës së Kosovës e mishëron këtë ideal, duke shpallur të drejtat dhe liritë themelore të njeriut si “të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme” dhe “bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës”. Ajo e materializon këtë ideal, duke përfshirë në tekstin e saj një listë prej 8 (tetë) marrëveshjesh dhe instrumentesh ligjore ndërkombëtare, duke u dhënë atyre vlerën e kategorisë kushtetuese dhe epërsinë ndaj ligjeve dhe akteve të tjera të institucioneve publike. Në këtë dispozitë kushtetuese unike është e përfshirë edhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Liritë Themelore dhe Protokollet e saj.

Përveç të drejtave dhe lirive klasike të njeriut, disa prej këtyre marrëveshjeve drejtpërdrejt të zbatueshme, e zgjerojnë dhe e pasurojnë listën e të drejtave që janë të garantuara shprehimisht me Kushtetutë. Duhet theksuar që këto marrëveshje nuk rrjedhin nga një proces standard i ratifikimit, por Kosova në mënyrë vullnetare i ka përqafuar ato, duke i përfshirë në nenin 22 të Kushtetutës. Prandaj, kur Kosova ka miratuar Kushtetutën, të gjitha të drejtat e përcaktuara në këto instrumente ndërkombëtare janë bërë të drejta kushtetuese brenda rendit juridik të Republikës së Kosovës. Dhe, jo vetëm që është pajtuar të pranojë që Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe shtatë instrumentet e tjera të jenë drejtpërdrejt të zbatueshme, por edhe, në rast konflikti, të kenë epërsi në relacion me ligjet dhe me aktet e tjera të institucioneve publike të Republikës së Kosovës.

Përveç nenit 22, Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka një veçanti tjetër unike, e që është detyrimi kushtetues sipas nenit 53 për interpretim të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore në pajtim me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e njohur ndryshe edhe si Gjykata e Strasburgut.

Si rezultat i këtij përcaktimi kushtetues, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, kurdo që interpreton të drejtat e njeriut dhe liritë e garantuara në Kushtetutë, këtë e bën në pajtueshmëri me parimet dhe me standardet e zhvilluara nga praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane.

Zonja dhe Zotërinj,

Gjykata Kushtetuese është e mandatuar me Kushtetutë që të shërbejë si autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe për vlerësimin e pajtueshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.

Duke pasur autoritetin për vlerësim të kushtetutshmërisë së amendamenteve të propozuara nga Qeveria dhe nga ligjvënësit, si dhe ankesat individuale për shkelje të të drejtave të njeriut, Gjykata ushtron kontrollin përfundimtar ndaj pushteteve legjislative dhe ekzekutive dhe është arbitër final për interpretimin e dispozitave kushtetuese për të drejtat dhe liritë themelore.

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese gjatë gjithë kohës janë përpjekur që premtimet dhe garancitë e parapara me Kushtetutë të mos mbesin vetëm të shkruara por të zbatohen në praktikë. Dhe, për ta bërë këtë, sa herë që ka qenë e domosdoshme, Gjykata ka nxjerrë vendime me të cilat ka anuluar ligje apo dispozita konkrete në kuadër të ligjeve, amendamente kushtetuese dhe vendime të ndryshme të vlerësuara si jokushtetuese. Kështu, Gjykata me vendimet e saj ka siguruar funksionalitetin e institucioneve të Republikës së Kosovës në pajtim me Kushtetutën dhe ka mbrojtur të drejtat dhe liritë individuale të garantuara me Kushtetutë.

Interpretimi kushtetues nuk është vetëm çështje e iniciativës së juristëve, avokatëve dhe politikanëve, mirëpo në formësimin dhe në kuptimin e qartë të saj kanë kontribuar në vazhdimësi rastet e parashtruara në Gjykatë nga të gjitha palët e autorizuara, përfshirë personat fizikë dhe juridikë, duke rezultuar në nxjerrjen e vendimeve të cilat janë të detyrueshme për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.

Nga themelimi i saj më 2009 e deri më sot, Gjykata Kushtetuese ka pranuar rreth 1.290 raste, ndërsa janë zgjidhur 1.200 raste. Në kontekst të rasteve individuale, duhet vërejtur se Gjykata Kushtetuese ka pranuar dhe ka shqyrtuar raste të sjella nga qytetarë të Kosovës të të gjitha nacionaliteteve ose komuniteteve (shqiptarë, serbë, turq, romë, boshnjakë, malazezë). Kjo tregon se të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht etnisë ose fesë, kanë qasje të barabartë në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë mënyrë, pjesëtarët e komuniteteve në Kosovë, nëpërmjet rasteve të sjella në Gjykatën Kushtetuese, kanë dëshmuar se kanë besim të plotë në Gjykatën dhe ky numër rritet çdo vit e më shumë.

Në lidhje me rastet individuale, Gjykata ka vendosur për çështje si e drejta në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta në jetë, barazia para ligjit, e drejta në mjete juridike, e drejta e pronës, liria e lëvizjes, përgjegjësia ndaj mjedisit dhe një numër të drejtash të tjera të garantuara me Kushtetutë.

Gjatë gjithë këtyre viteve të funksionimit, të gjitha vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë ekzekutuar dhe janë zbatuar, diçka që tregon besimin që Gjykata Kushtetuese ka ndërtuar në shoqërinë e Kosovës dhe besimin që kanë qytetarët në premisat e Kushtetutës nën dispozitat e të cilit parashtrojnë raste në Gjykatë.

Në historinë e saj të shkurtër, por intensive dhe dinamike, Gjykata Kushtetuese ka dëshmuar synimin e përcaktuar në Kushtetutë që t’u ofrojë të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës mbrojtjen më të gjerë dhe më efektive të mundshme, siç përcaktohet nga Kushtetuta e tyre, veçanërisht në Kapitullin II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore] dhe në Kapitullin III [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të tyre], që përcaktojnë standarde shumë të larta të këtyre të drejtave.  

Gjykata Kushtetuese, gjithashtu, ka nxjerrë një numër vendimesh të rëndësishme për çështje që janë të një rëndësie thelbësore për Kosovën, siç është çështja e barazisë dhe/ose të drejtave të veçanta të grupeve pakicë, arbitrariteti në vendimet gjyqësore, përmbarimi i vendimeve gjyqësore dhe çështje të ngjashme. Në arritjen e përfundimeve të saj, Gjykata ka dëshmuar nivelin më të lartë të pavarësisë dhe qëllimin për t’u siguruar se të gjitha autoritetet publike të Republikës së Kosovës e respektojnë Kushtetutën.

Zonja dhe Zotërinj,

Kuvendi i Republikës së Kosovës, i cili miratoi Kushtetutën më 9 prill 2008, përbëhej nga gra dhe burra të përkatësive të ndryshme etnike dhe kulturore, grupeve të ndryshme fetare, prejardhjes së ndryshme shoqërore dhe orientimeve të kundërta politike, por askush nuk mund të pretendojë pronësinë ndaj kësaj Kushtetute, sepse ajo i takon Kosovës.

Shumë përparim është bërë në Kosovë që nga miratimi i Kushtetutës, por puna jonë është larg së përfunduari. Në këtë ditë të Kushtetutës, secili qytetar i Republikës së Kosovës duhet të ndjejë obligim të lexojë dhe të mësojë për sistemin e vet kushtetues, për të drejtat dhe liritë që u takojnë dhe të mendojnë në mënyrë kritike se çka mund të bëjë secili që t’i kontribuojë zhvillimit të shoqërisë duke shfrytëzuar këtë sistem kushtetues dhe si t’i përafrojnë zbrazëtitë ndërmjet parimeve të ngërthyera në Kushtetutë dhe realitetit tonë shoqëror.

Urime Dita e Kushtetutës!

  • KI 114/16

    Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Api-Kzi-6/2011], të 25 shtatorit 2012, dhe i Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Ap-Kz. nr. 283/2009], të 19 prillit 2011

    16.05.2017
  • KI 23/16

    Vlerësim i kushtetutshmërisë së kohëzgjatjes së procedurës në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit

    12.05.2017
  • KI 119/16

    Vlerësim i kushtetutshmërisë së “Vendimit SCL-11-0055 të Kolegjit të Apelit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, të 7 qershorit 2016”

    12.05.2017
  • KI 02/17

    Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Kolegjit të Apelit të Agjencisë Kosovare të Pronës të Gjykatës Supreme të Kosovës (GSK-KPA-A-015/2014, të 20 prillit 2016)

    10.05.2017